Laçi luan nesër(e enjte) përballë Petrocub në Moldavi prej orës 19:00, sfidë e vlefshme për turin e dytë të Conference League. Bardhezinjtë vijnë në këtë takim pas kualifikimit kundër Iskras malazeze.
Për Laçin në Europë, por dhe gjendjen e ekipit ka folur trajneri Shpëtim Duro. Strategu tregoi se nuk ekziston euforia, teksa i sheh mundësitë e barabarta për kualifkim me klubin moldav. Në anën tjetër ai tregoi se pret nga lojtarë si Mazrekaj dhe Guindo, të cilët me aftësitë individuale mund të bëjnë diferencën.
Duro preku dhe mungesën e një mesfushori para mbrojtjes, që lind nevojën për ta zëvendësuar. Më poshtë mund të lexoni intervistën e tij të plotë për “RTSH Sport”.
Si paraqitet gjendja e skuadrës?
“Gjendja e skuadrës është e mirë. Pas përfundimit të ndeshjes në Podgoricë, skuadra është e plotë, nuk kemi problem dëmtimi, është po ajo skuadër që ishte në këto dy ndeshje kualifikuese, që do jetë e gatshme dhe në dy ndeshjet e ardhshme”.
Kaluat një skuadër si Irska, të cilën e mundët sportivisht në fushën e lojës, duke u përballur dhe me fyerjet raciste të tifozëve. A mund të konsiderohet ky një avantazh për turin e dytë?
“E kam thënë dhe e përsëris shumë herë që kalimi i turit për skuadrat shqiptare është sukses, duke patur parasyshë shumë faktorë, edhe moralisht por dhe në aspektin financiar. Kalimi i këtij turi, sigurisht që ishte dhe një detyrim, por tani jemi më të qetë të presim ndeshjet e turit të dytë”.
Jeni një njohës i mirë i kampionatit shqiptar, i futbollistëve që luajnë këtu. A mund të quhet ky Laçi i Duros?
“Sigurisht që çdo skuadër ka lëvizje lojtarësh. Edhe sezonin e kaluar kishte lëvizje, por ne bashkë me drejtuesit e klubit arritëm që të ndërtojmë një skuadër kompetitive. Në fund të kampionatit ishim një nga skuadrat më të mira, nënkampion të Shqipërisë dhe finalist të Kupës. Ishte një arritje historike për skuadrën e Laçit. Përsëri kemi shumë largime, por arritëm të kalojmë turin e parë. Në vazhdim do të shikojmë, boshllëqet nuk është e lehtë për t’i rikuperuar, sepse ka shumë element, shumë faktorë, por deri tani them që skuadra është mirë për të përballuar këto dy ndeshje”.
Deri ku mund të shkojë kjo skuadër?
“Nuk ka mendim absolute se ku do shkojë, ne do të përqëndrohemi tek këto dy ndeshje të radhës. Shpresojmë të përsërisim ato arritje të sezonit të kaluar, por e thashë që përballë kemi një kundërshtar të nivelit tonë, kryesisht i barabartë. Kur je në këtë situatë, do zgjidhet në situata të veçanta loje”.
Pasi keni studiuar kundërshtarin, kujt i frikësoheni, cilat janë ato pikat ku ju mendoni?
“E thashë edhe më parë, është një skuadër përafërsisht e nivelit tonë, është një skuadër solide, kompakte. Nuk shënon shumë, por dhe nuk pëson, është shumë e fortë dhe agresive në aspektin mbrojtës. Them se në të dyja ndeshjet do të dominojë mendimi taktik i lojës”.
Çfarë mund ta bëjë Laçin më superior, ka diçka që mund ta specifikoni?
“Sigurisht, kemi lojtarë me aftësi individuale si Mazrekaj. Kur ka lojtarë me nivel të tillë, trajneri prêt gjithmonë. Guindo e Adeleke janë lojtarë të shpejtë, shpresojmë që në ato mundësi që do krijojnë, të shënojnë. Secila pjesë e skuadrës ka rëndësinë e vetë, por këta janë lojtarë që kanë aftësi individuale dhe të ndihmojnë në moment të veçanta”.
Kalimi i turit të parë, ndoshta mund t’i bëjë lojtarët euforik?
“Jo nuk ka eufori. Ka besim, qetësi. Skuadër e nivelit të Shqipërisë jemi, nuk ka përse të jemi euforik, kështu që do vlerësim maksimal çdo kundërshtar, sepse sot diferencat janë shumë të vogla në futboll. Pra, është interpretimi në fushën e lojës, shpirti i garës, takticizmi dhe aftësitë individuale, që mund të zgjidhin ndeshje të veçanta. Kështu që them se në këtë aspekt nuk ka asnjë llojë nënvlerësimi, përkundrazi, ka respekt të jashtëzakonshëm për kundërshtarin”.
Cila është ajo që ju shpesh u thoni lojtarëve në dhomat e zhveshjes për ti mbajtur të motivuar gjatë gjithë kohës, sidomos në kompeticionet europiane?
“Sigurisht që u jap besim, sepse edhe për ndeshjen e dytë ndaj Iskras, pavarësisht barazimit në ndeshjen e parë, unë kisha një parandjenjë, kisha besim te skuadra. Besimi u injektua edhe tek futbollistët, pra lojtarët nuk duhet ta mbajnë mendjen asnjëherë tek kualifikimi, por të japin secili maksimalisht mundësitë e tyre, aftësitë e tyre individuale. Duke dhënë të gjithë maksimumin në fushën e lojës, forcohet edhe skuadra dhe arrihet rezultati”.
Për ta mbyllur, çfarë prisni nga merkato?
“Skuadra është e kompletuar, kemi marrë disa futbollistë që janë dalluar në Kategorinë e Parë, them që e plotësojnë skuadrën. Por na mungon një mesfushor para mbrojtjes. Me largimin e Shehut na ka lënë një grop të madhe, por dhe dëmtimi i Qatos na ka bërë që ai vend është bosh. Do mundohemi, edhe jemi munduar, por nuk kemi gjetur akoma lojtarin e duhur në atë pozicion”.