Të enjten në mbrëmje, duke nisur nga ora 21:00, do të luhet takimi i parë i vlefshëm për turin e dytë të Ligës së Konferencës, midis Vllaznisë dhe Universitateas së Krajovës dhe të dyja skuadrat u kanë dhënë të mërkurën në mbrëmje dorën e fundit përgatitjeve.
E teksa rumunët kanë zbritur të parët në fushën e blertë të Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke u stërvitur nga ora 19:00, deri në ora 20:15, pas tyre e ka patur radhën skuadra vendase. Ekipi kuqeblu, i drejtuar nga trajneri Mirel Josa ka nisur seancën e fundit stërvitore në ora 20:30, duke vijuar deri rreth orës 21:15, për afro 45 minuta.
Sipas burimeve pranë skuadrës kuqeblu kanë pohuar për RTSH Sport se Josa e ka patur të plotë grupin dhe të gjithë janë stërvitur me program të plotë, përfshi edhe Liridon Latifin, i cili sidoqoftë nuk pritet të jetë në fushën e blertë që nga minuta e parë të enjten ndaj rumunëve. Trajneri kryeqytetas i shkodranëve pritet të luajë me skemën 4-3-3, por ai nuk ka pranuar të japë asnjë emër sa i përket formacionit bazë, duke preferuar të presë deri në fund për të bërë zgjedhjet e tij.
Ndonëse ende nuk ka një shifër zyrtare, burime pranë klubit kuqeblu kanë sqaruar për RTSH Sport se deri më tani janë shitur afro 8,000 bileta, por deri në orën e ndeshjes shpresohet që 75 % e kapacitetit të stadiumit mbi 16,500-vendësh të jetë mbushur nga tifozët./rtsh/