Në mungesë të trajnerit të parë, Emiljano Çelës, i cili është i dënuar nga Disiplina dhe do ta ndjekë ndeshjen e nesërme nga tribuna, për “Panorama Sport” është prononcuar zëvendëstrajneri i Kastriotit, Bekim Kuli, i cili në karrierën e tij si futbollist ka luajtur edhe me Partizanin. Para ndeshjes ndaj “demave”, Kuli shprehet se skuadra gëzon një formë shumë të mirë dhe Partizani nuk do ta ketë aspak të lehtë. Kuli shprehet se Kastrioti synon të ndryshojë objektivat e veta, duke mos menduar më për mbijetesën, por vendet lart në tabelë.

Si janë përjetuar nga skuadra kalimi në Kupë dhe fitorja në kampionat?

Ka qenë një javë pozitive për ne. Kemi triumfuar në dy ndeshje, njëra në kampionat dhe tjetra në Kupë. Kjo na jep shumë siguri dhe shumë besim te forca e grupit tonë dhe te skuadra që ne drejtojmë. Jemi shumë të kënaqur me këto dy ndeshje dhe këtë ja kemi transmetuar edhe çunave, se nëse jemi grup dhe luajmë me dëshirë e me pasion dhe të jemi të bashkuar, ne do bëjmë gjëra shumë të mira në të ardhmen. Në Kupë kemi bërë disa spostime për të parë gjendjen e futbollistëve që kanë luajtur më pak dhe na kanë dhënë shumë sinjale të mira. Jemi shumë të kënaqur prej tyre, kjo bën që në grup të ketë shumë konkurrencë, që i bën mirë ekipit.

I druheni një euforie të mundshme pas këtyre rezultateve të mira?

Ne jemi një ekip i vogël me një buxhet jo të madh, kështu që nga ana jonë nuk ka eufori. Jemi ekip shumë i mirë dhe s’ka vend për eufori, sepse në gjirin tonë kemi lojtarë me shumë eksperiencë dhe ata s’e njohin euforinë, por janë profesionistë dhe dita-ditës punojnë për t’u përmirësuar. Në këtë kampionat s’ka vend për eufori, sepse ka dhe shumë ndeshje në vazhdim dhe ne e dimë se si shkojnë gjerat në kampionatin tonë nëse e ul përqendrimin.

Luani ndaj Partizanit, si e keni përgatitur këtë ndeshje?

Ndaj Partizanit do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar, kështu e shikoj unë këtë përballje. Vijnë dy ekipe me një formë shumë të mirë sportive dhe ne mendoj se i kemi bërë të gjitha detyrat tona si trajnerë, tani presim sportistët tanë të bëjnë detyrat në fushë.

Besoni te marrja e një rezultati pozitiv ndaj kryesuesve?

Këtë ndeshje e presim si një përballje mes dy ekipeve më në formë të momentit, le të fitojë më i miri dhe kush bën më pak gabime në fushë. Partizani është një ekip i fortë, por ata e dinë se ndaj nesh nuk e kanë të lehtë këtë përballje.

Si jeni me kontingjentin, duke qenë se disa lojtarë kanë shfaqur probleme pas ndeshjes me Teutën?

Kemi pasur probleme me lojtarët, por besoj që me Partizanin do të jenë të gjithë, sepse i kanë bërë terapitë për rikuperim të shpejtë dhe teknologjia tani është më e përparuar. Falë Zotit do t’i kemi të gjithë në dispozicion.

Me golin në ndeshjen e fundit, a mendoni se tashmë Morbek është zhbllokuar dhe do të vazhdojë të shënojë?

Unë mendoj se Morbek duhet të punojë për ekipin, pastaj ekipi do të punojë për të, se s’është e lehtë të vish në një kontinent tjetër dhe ai ka pasur problemet e tij. Por këto dy ndeshje ka punuar më shumë dhe ne jemi të kënaqur. Gjithsesi, ai mund të bëjë më shumë dhe këtë e presim në javët në vazhdim.

Deri ku mund të shkojë kjo skuadër?

Se ku ne do ikim, atë e din i plotfuqishmi lart në qiell, ne punojmë përditë për t’u përmirësuar, por dimë që këtë vit s’do të jetë e lehtë, sepse klubet e tjera kanë kërkesa, ashtu si edhe ne kemi tonat. Unë mendoj se objektivi ynë është të ikim sa më lart dhe të shikojmë se cilat janë kapacitetet tona si grup. Do të jetë e vështirë patjetër, sepse edhe ekipet e tjera punojnë si trajneri Çela, unë që jam aty me Çelën, po bëjmë më të mirën që këtij ekipi, këtij klubi, t’i ndryshoj imazhi që ka vendosur në vitet e fundit. Të mos luftojë më për mbijetesë, por të hapim sytë për më lart në renditje. Këtë besim na e dha edhe presidenca me kushtet e formuara dhe me faktin që mundi të ruajë grupin e vjetshëm të lojtarëve.