Lorenc Jemini ka kritikuar largimin e tij nga pozicioni i vëzhguesit, edhe pse në kategoritë inferiore, duke thënë se në FSHF janë shqetësuar për qëndrimet e tij.

I ngacmuar në “Procesin Sport” rreth kësaj teme, ish-gjyqtari i FIFA-s ka thënë se aty gjërat nuk bëhen me drejtësi. “Janë në të drejtën e tyre ata (FSHF) që të më kërkojnë të zgjedh. Pra ose këtu (në studio) ose vëzhgues.

Nuk e di se çfarë i ka shqetësuar aq shumë, por fundja janë në të drejtën e tyre. Ajo që nuk kuptoj është se përse unë që nuk kam asnjë funksion nuk lejohem që të jem në studio, ndërsa atje ka persona që mbajnë nga 3-4 funksione dhe dalin shpesh në televizion.

Dakord, ky është mendimi i tyre, por kjo është edhe mënyra se si i bëjnë gjërat. Disa që mbajnë nga 3-4 poste mund të bëjnë çfarë të duan, ndërsa të tjerët jo…”, deklaroi Jemini. Pak vite më parë ish-gjyqtari u përjashtua nga arbitrimi pa asnjë motiv zyrtar, ndërsa sot nuk është më as vëzhgues i FSHF-së.