Atletika e Vllaznisë ka njohur sukseset e rradhës në kompeticionet e fundit kombëtare. Atletët kuqeblu kanë qenë dominues ndaj kolegëve të tyre duke merituar vendet e para në kategori të ndryshme.

Për këtë ka folur edhe një nga trajnerët shkodranë, Jetmir Jahaj. Sipas tij këto suksese janë totalisht të pritshme për shkak të punës së madhe që bëhet tek Vllaznia. Po ashtu ai thekson se të gjithë trajnerët punojnë për zhvillimin në të ardhmen të këtij sporti.

Jahaj tha: “Morëm sukseset dhe vendet e para në këtë muaj që po lëmë pas në disa grup mosha. Duke filluar nga ato më të vogëla e deri tek u-18 së fundmi. Nuk janë surprizë aspak të tilla rezultate dhe këto vende të para të Vllaznisë. Edhe në deklaratat e tjera televizive apo të shkruara gjithmonë kam thënë se do jemi të parët.

Pse e kam thënë diçka të tillë ? Për shkak të punës së përditshme që bëhet tek Vllaznia. Pasionit, sakrificës së trajnerëve, e po ashtu të atletëve që arrijnë të zbatojnë detyrat dhe stërvitjet që ju japim. Dua të theksoj se kemi 4 vajza që premtojnë shumë për të ardhmen dhe që do jenë atlete që do spikasin. Për këtë jam i sigurtë.

Por objektivi ynë nuk është vetëm të dalim kampion, por të përgatisim sportistët e së ardhmes. Ne duam ta vijojmë traditën e shkëlqyer të atletikës shkodrane dhe prandaj punojmë çdo ditë. Puna e madhe sjell rezultatet e sukseset. Këtë e kemi treguar edhe me pjesëmarrjet me atletët tanë në kompeticionet europiane dhe ballkanike”.
Endri ÇINARI