Apollon Haxhi, ish-jurist i ekipit Vllaznia dhe një personazh që është gjithmonë afër sportit, ka komentuar së fundmi për barazimin 0-0 në Kukës të shkodranëve.

Sipas tij tashmë ëndrra për titull kampion ka marrë fund dhe skuadra duhet të përqendrohet për kualifikimin në kupat e Europës. Gjithashtu Haxhi thekson se në Kukës priste një Vllazni më sulmuese duke parë takimin paraardhës që kuqeblutë kishin me Erzenin.

Haxhi tha: “Nuk pamë një ndeshje të bukur dhe me ritëm ditën e dielë në Kukës. Ishte një futbolli i ngadaltë dhe pa shumë rrezikime në portat respektive. Dukej se ekipet nuk donin thjesht ta humbisnin një ndeshje të tillë, ku të jemi realistë mungoi ritmi. Dhe në fund besoj se rezultati 0-0 ishte i drejtë si për Kukësin ashtu edhe për Vllazninë.

Por unë prisja një Vllazni ndryshe në këtë takim. Duke parë ardhjen e trajnerit të ri dhe lojën që u zhvillua ndaj Erzenit, e prisja shumë sulmuese edhe në Kukës. Diçka e tillë nuk ndodhi dhe disi u befasova sepse një ekip që pretendon kampionatin duhet me patjetër të sulmojë kundërshtarin. Por tashmë besoj se ëndrra për titull kampion ka marrë fund.

Skuadra duhet të përqendrohet tashmë tek kualfikimi në kupat e Europës. Ai mbetet objektivi kryesor tashmë nëse duan që ky sezon të shpëtojë. Kampionati është shumë i egër sepse çdo ekip është në garë për objektivat e veta.

Malorja e Vllaznisë nis që nga kjo javë kundër Tiranës. Një sfidë që ka pasur gjithmonë emocione dhe unë i uroj fitoren kuqebluve, por e shoh shumë të vështirë ndaj kryeqytetasve”.
Endri ÇINARI