Ndeshja e së dielës ndaj Skënderbeut në Korçë po vlerësohet maksimalisht në kampin shkodran. Vërtetë vendi i parë luan me atë të parafundit të renditjes, por fusha e lojës pritet të dhurojë një ballafaqim interesant.
Mesfushori i Vllaznisë Fjoart Jonuzi në një prononcim të dhënë gjatë emisionit “Sport Arena” duke folur në lidhje me këtë ndeshje është shprehur:
“Ndeshjen me Skënderbeun do ta konsideroja një sfidë delikate sepse edhe ajo ndodhet në fund dhe i duhen pikët. Dhe sidomos që do të luajë në fushën e vet dhe ndoshta edhe terreni do të jetë në favorin e saj, megjithatë ne do ta vlerësojmë maksimalisht këtë përballje.
Kemi disa mungesa të rëndësishme, por në ndeshjet e mëparshme kur kemi patur të tilla, ata që kanë luajtur, i kanë zëvendësuar denjësisht. Kuptohet që mungesat ndikojnë pak sepse kemi krijuar një fizionomi loje me ata lojtarë, megjithatë ne e kemi kontigjentin e duhur për t’i zëvendësuar dhe thjesht duhet t’u japim besim.
Nëse luajmë si grup ashtu siç kemi luajtur gjatë gjithë kësaj kohe, besoj se do ia dalim me sukses edhe në Korçë. E rëndësishme është që me suksesin ndaj Apolonisë, u rikthyem tek fitorja dhe kjo është shumë pozitive sepse e kishim si ngërç.
Do të jemi të fokusuar maksimalisht tek kjo ndeshje dhe vërtetë javën e ardhshme luajmë me Tiranën, por mendoj se fillimisht duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen me Skënderbeun. Ta kalojmë njëherë këtë kundërshtar dhe pastaj të mendojmë për tjetrën”./SHKODRA-SPORT.COM/