Java e 12-të e Abissnet Superiores prodhoi 10 gola. Tirana arriti fitoren më të thellë të javës kundër Kastriotit (3-0) dhe vazhdon të kryesojë kampionatin me 27 pikë, katër mbi Kukësin që dështoi ndaj Laçit (1-2).

Emisioni “Analizë Superiore” në Supersport, nën drejtimin e Sokol Xhihanit dhe Fation Bardhit, videoanalist i kombëtares U19, përditësoi formacionin më të mirë deri në këtë fazë të kampionatit.

Vetëm një ndryshim në sulm, aty ku risia është Saliou Guindo. Sulmuesi i Laçit realizoi dy golat e fitores ndaj Kukësit dhe ndan renditjen më të mirë të golashënuesve me 7 gola, po aq sa kanë shënuar Taulant Seferi (Tirana) dhe Edi Basa (Kukësi).

Guindo i zë vendin Agim Ibraimit (Dinamo), dhe formon dyshen e repartit ofensiv me Seferin. Në portë konfirmohet Visar Bekaj (Tirana), teksa nuk ka ndryshime në katërshen defensive, repart ku deri tani kanë shkëlqyer Edison Ndreca e Bruno Lulaj (Kukësi), Erion Hoxhallari (Tirana) dhe Erdenis Gurishta (Vllaznia).

Njësoj edhe reparti i mesfushës. Regi Lushkja (Laçi) dhe Vesel Limaj (Tirana) formojnë dyshen më të mirë të qendrës, ndërsa në krahë janë Liridon Latifi (Vllaznia) dhe Edi Basa (Kukësi). Tirana kryesuese dominon formacionin më të mirë me 4 lojtarë, ndjekur nga Kukësi (3) dhe Laçi e Vllaznia me nga dy.