Një nga protagonistët e fitores së Vllaznisë u-21 sot kundër Partizanit në shifrat 1-2 ishte edhe Eraldo Deda. Mesfushori i talentuar shkodran realizoi njërin nga golat e fitores dhe në intervistë për “Shkodra Sport”, ai shprehet i lumtur për golin dhe kërkon që të vijojë në këtë rrugë.


-Eraldo, urime për golin tuaj të rradhës fillimisht. Një fitore e merituar?

Faleminderit për urimin. Ishte një ndeshje e vështirë, por mendoj se skuadra bëri një paraqitje të mirë dhe fitorja ishte e merituar.


-Vijoni në çdo javë të jeni protagonist me u-21. Po ju ndihmon të rriteni ky ekip?

Patjetër që po. Për një futbollist të ri të rëndësishme janë minutat sa më të shumta të marrë. Kjo edhe për të qenë sa më gati për ekipin e parë.


-Objektivi i Vllaznia u-21 cili është?

Ne duam të jemi në vendin e parë në fund të kampionatit. Këtu ka shumë lojtarë të talentuar që besoj se do arrijmë të mbajmë ritmin dhe nivelin e lartë të lojës.


-Po objektivi juaj personal?

Unë dua që të luaj sa më shumë. Të shënoj, asistoj dhe përmirësohem akoma më tepër.

-Po tek ekipi i parë, kur do iu shohim në këtë nivel?

Këtë nuk mund ta them me saktësi. Por uroj që shpejt të kem edhe unë mundësinë time dhe ta shfrytëzoj nëse më jepet një shans i tillë.
Intervistoi: Endri ÇINARI