Elvedin Heriç është një nga ata që mund të shpërthejë sezonin e ri me fanellën e Vllaznisë. Në fakt, boshnjaku kaloi një moment të vështirë me trajnerët e tjerë, Brdariç dhe Plori, të cilët e “gozhduan” në stol.
Një situatë që e bëri boshnjakun të mendonte largimin nga shkodranët, por ai ka edhe një vit kontratë dhe vlerësohet si një element i rëndësishëm në projektin e ri. Heriç erdhi te kuqeblutë në merkaton e verës së shkuar dhe fillimisht zuri vend menjëherë në formacion.
Ai ka një bagazh të mirë teknik dhe ndoshta në sezonin e ardhshëm mund të jetë vërtetë një nga ata që bëjnë diferencën, teksa Josa beson tek aftësitë e këtij futbollisti. Sezonin e fundit luajti 28-ndeshje, 14 nga të cilat si titullar.
Në ndeshjet e para ra në sy për mirë, pastaj forma e tij erdhi duke u zbehur, ashtu si e gjithë skuadrës. Megjithatë, me ardhjen e trajnerit Mirel Josa e mbylli kampionatin si titullar, teksa në klubin kuqeblu kanë besim të madh te ky futbollist.
Trajneri Mirel Josa do të vendosë në bazë të formës së çdo futbollisti, por Heriç, 25-vjeç, parashikohet të ketë hapësira të bollshme në mesfushën e kuqebluve, madje edhe një nga futbollistët më të rëndësishëm të tyre në këtë repart.
Maringlen ZHIVANI