Teuta-Laçi ishte sfida e parë gjysmëfinale e Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e zhvilluar në “Niko Dovana”, u mbyll me rezultatin 1-2 për kurbinasit. Sfida u vendos nga golat e Ujkës dhe Adeleke për Laçin, ndërsa për Teutën shënoi Todorovksi falë edhe një devijimi nga mbrojtja laçiane.
Laçi është me një këmbë në finalen e Kupës, por gjithçka do të vendoset në sfidën e kthimit. Pas ndeshjes në intervistë për “Gol pas Goli”, trajneri i Laçit, Mirel Josa u shpreh:
“Do ishte më mirë për ne që të mos pësonim gol. Ky gol i jep shanse Teutës dhe unë kualifikimin e shikoj 50-50. Nesër do të shikojmë gjendjen e Harmon, por mua më shqetësojnë gjendja e përgjithshme e lojtarëve, sidomos gjendja psikologjike. Gjendja psikologjike na bën që të kemi më shumë ngritje, për të përgatitur ndeshjen e radhës.
Më intereson më shumë rezultati, pasi tani nuk shikohet loja e bukur. Tani ka ardhur fundi dhe çdo gjë nuk ka kthim. Më intereson që skuadra të bëj sa më pak gabime dhe në ndeshjet e kaluara kemi pasur shumë ulje-ngritje.
Kjo ndeshje mund të në japi një farë shtytje dhe besimi, por nuk mund të themi që fituam sot pasi është ndeshje Kupe dhe ka ndeshje kthimi. Të mos harrojmë se çfarë na bëri Teuta në ndeshjen në Laç. Për mua është një ndeshje që ka mbaruar sot dhe nesër do të shikojmë se çfarë do të rikuperojmë.
Kjo fitore e ndimon shumë nga ana psikologjike dhe nesër do të dalim me një oreks tjetër për punë. Sot bëmë diçka më shumë se në ndeshjet e kaluara. Normale që ka gjëra që duhen përmirësuar, por duhen respektuar pasi sot luanim ndaj kampionëve në fuqi”, u shpreh Josa./newsport/