Rikthim tek fitorja për ekipin “Juban Danja”. Në sfidën e rradhës për kampionat, vajzat e drejtuara nga trajneri Elis Legata kanë fituar me rezultatin e pastër 5-0 ndaj Teutës. Ajo është luajtur pasditen e sotme në kompleksin sportiv “Zmijani” dhe është dominuar nga vajzat shkodrane.

Rezultati është zhbllokuar në minutën e 13-të kur Anela Vishkulli ka shënuar golin e parë për “Juban Danjen”. Më pas, do të vinte një 11-metërsh i kthyer në gol nga Caka, ndërsa një minutë para fundit të pjesës së parë, do të ishte Vasa ajo që do të shënonte golin e tretë.

Në pjesën e dytë ndërkohë do të ishte përsëri 14 vjeçarja e talentuar Vasa që do të shënonte edhe golin e katërt ndërsa për të mbyllur ndeshjen do të mendonte Vishkulli që shënoi golin e pestë dhe të fundit.

Përfundimisht 5-0 për “Juban Danja” që ngjitet në kuotën e 25 pikëve duke mbajtur vendin e katërt në renditje. Objektivi është renditja në tre vendet e para dhe në rradhët e drejtuesve të kësaj skuadre ka besim se mund t’ia dalin për ta arritur atë.