6 shtatori i vitit 2005 sot merr sërish edhe më shumë vlerë. Edhe më shumë madje se një vit më parë. Biles biles, edhe më shumë sesa dy vjet më parë kur u organizua festa e madhe e 10 vjetorit të krijimit të këtij ekipi- “Juban Danja”. Themi kështu sepse sot, mbushen plot 12 vite që nga momenti kur Lizana Jaku, Emanuela Jaku, Terezina Lazri, Tereza Ilia, Agetina Ndreka, Loreta Jaku, Marije ilia, Vera Ndreka, Manjola Ejlli, Xhulia Preçi, Agetina Marku, Terezina Palushi, Albina Gjuraj, Dorina Gjoni dhe trajneri Marin Jaku, nën “orkestrimin” e Ferdinand Jakut, organizuan të parën ndeshje të futbollit të femrave në vendin tonë.

Dhe kur themi 12 kuptohet që ka më shumë rëndësi sesa numri 11, 10 e me rradhë. është njëlloj si tek rasti i verës. Sa më vjetër të jetë, aq më e shijshme është. Edhe këtu është e njëjta situatë. Sa më shumë vite kalojnë, aq më shumë vlerë merr ky moment historik i futbollit të femrave në vendin tonë. Më 6 shtator 2005 padiskutim që protagonistët dhe protagonistet e mësipërme, nuk e kanë ditur rëndësinë e atyre stërvitjeve që zhvillonin, e asaj ndeshje të parë të luajtur në mes tyre. Sot, është ndryshe.

Dhe meritë të jashtëzakonshme për të gjithë këtë, ka padyshim një njeri: Ferdinand Jaku. E ka nisur këtë punë thjesht si pasionant dhe ndjekës i futbollit por prej dy vitesh financon dhe drejton “Juban Danjen”. Një ekip në të cilin kanë punuar e punojnë emra të shquar trajnerës, kanë luajtur me të disa futbolliste që kanë veshur dhe veshin fanellën e kombëtares shqiptare.

Dhe për më tepër, vazhdon të investojë. Pa u ndalur për asnjë moment. Madje, gjithnjë me ide dhe projekte të reja. Sot futbolli i femrave në vendin tonë ka avancuar jo pak. Kombëtarja e të rriturave ka kaluar një grupin e parë eliminator. Vllaznia e femrave pretendon të bëjë të njëjtën gjë në Ligën e Kampioneve. Por historia është histori. “Juban Danja” e ka shkruar e para emrin në librin e artë të këtij futbolli. Dhe sot, më 6 shtator 2017, me rastin e 12 vjetorit të krijimit të këtij klubi, nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë sa më shumë suksese.

Gjergj KOLA