Sulmuesi brazilian i Vllaznisë, Junior, insiston se vendimi për të qëndruar në Shkodër gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit ka qenë i duhuri. Shumë lojtarë të huaj kanë shpejtuar të largohen drejt vendlindjeve të tyre sapo shpërtheu pandemia, por ai bashkë me Hygor qëndruan në Shkodër dhe janë stërvitur në kushtet e karantinës në qytetin verior.

“Mendoj se kemi bërë zgjedhjen më të mirë që qëndruam në Shkodër bashkë me Hygor. Ne ndihmojmë njëri-tjetrin dhe mendoj se qëndrimi këtu është krejt në rregull për ne”, shpjegoi Junior për RTSH.

“Sigurisht që nuk është situate më e mirë e mundshme, por duhet të qëndrojmë në shtëpi për të zbatuar rregullat e për të qenë sa më të sigurt. Deri tani jemi OK në të gjitha drejtimet. Unë vazhdoj të punoj në kushtet e shtëpisë, karantinës, por duhet të stërvitem me ekipin për të qenë sa më të gatshëm për ndeshje”, tha ai.

Sulmuesi pranon se po pret me padurim që të kthehet në fushë e të japë kontributin e tij, ndonëse ka pasiguri rreth mënyrës dhe formulës që do të përdoret për rifillimin e aktiviteteve.

“Shpresoj dhe besoj shumë që do të mbajmë nivelin që patëm para ndërprerjes së kampionatit. Sa i përket formulës së rifillimit, them se nuk është detyra ime të flas, nuk jam menaxher, dua të luaj futboll e pres momentin të zbres në fushën e lojës të bëj punën time. Ndaj po pres vendimin që do të merret për këtë qëllim”, deklaroi Zhunior. /vipsport/