Redi Jupi ishte i ftuar në emisionin “Procesi Sportiv” që transmetohet në “Top Channel”. Tema kryesore e diskutuar ishte ardhja e Sylvinhos dhe prezantimi i tij si trajneri më i ri i Shqipërisë. Ndërkohë për Jupin do të ishte më e udhës që Kombëtarja të drejtohej nga një grup shqiptarësh që kanë bërë sukses në Europë.

“Ky moment është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Mendova se zgjedhja më e mirë do të ishte të kishim një grup shqiptarësh që ta drejtonin Kombëtaren, grup që ka bërë shumë mirë në Europë, jo në këtë botën tonë të intrigave.

Ne kemi gjithmonë besim se do të bëhet më mirë, por jo gjithmonë ndodh kështu. Ne tani kemi një gjeneratë shumë të mirë të lojtarëve, është shumë e rëndësishme. Shqipëria të drejtohej nga Besnik Hasi si trajner, Arjan Peco si ndihmës dhe Igli Tare të kishte një funksion tjetër drejtuesi.

Kjo gjeneratë e lojtarëve vështirë të na vijë më. Ne na duhen njerëz që e njohin situatën dhe nuk humbin kohë. Ju të jeni të bindur se Sylvinho është një trajner shumë më i mirë se e meriton Shqipëria, po të ishim në kushte të tjera, jo si këto tani. Nëse do të kishim një gjeneratë normale si para Rejës, apo me Panucin, Sylvinho do të ishte zgjedhja më e mirë.

Mua më pëlqeu Sylvinho në konstatimin e parë, perceptimin e parë që kam marrë prej tij. Dukej se kishte dëshirë dhe ambicie, personazhi më pëlqeu. Problemi i vetëm qëndron se Sylvinho është njeriu i duhur që ka ardhur në kohën e gabuar. Sado që ti të dëgjosh, do të mësosh vetëm nga gabimet e tua. Nuk ka shumë kohë përpara që Sylvinho të njihet me Kombëtaren, zakonisht duhen 6 muaj që një trajner i Kombëtares të ketë njohje të plotë mbi potencialin e ekipit”, tha Jupi. /Sport Ekspres/