Vllaznia do kthehet ditën e premte në fushë për ndeshjen e parë zyrtare të vitit 2023. Shkodranët do udhëtojnë drejt Tiranës për tu ndeshur me Partizanin. Një duel direkt për vendet e para të renditjes. Dhe që në rast suksesi të shkodranëve do rihapte totalisht garën për vendin e parë.

Kjo pasi të kuqtë kryesojnë momentalisht në kuotën e 29 pikëve. 7 më shumë sr shkodranët që janë në vendin e 5-të me 22 pikë. Por një fitore e të besuarve të Joses patjetër do hapte gjithçka e kampionati do ishte akoma edhe më i bukur. Por në rast të një dështimi, që do ishtd humbja, situata tek kampi shkodran patjetër që do komplikohej disi.

Superiorja e këtij edicioni është shumë e ngjeshur dhe rreziku për tu parakaluar në tabelë nga ekipe poshtë është e madhe për Vllazninë. Laçi që po kalon një formë të mirë së fundmi ka 20 pikë, 2 më pak se kuqeblutë. Por edhe kurbinasit kanë një duel shumë të fortë kundër Tiranës në shtëpi në javën e 16-të.

Po ashtu nga pas vjen edhe Kastrioti me 18 pikë, ku edhe krutanët nuk janë edhe aq larg nga 5 të parat e kampionatit. Patjetër që objektivi i Vllaznisë është të shohë sipër në renditje dhe të jetë në ashensorin që ngjitet.

Por edhe të kthesh kokën nga pas për të shikuar edhe rrezikun e parakalimit nga kundërshtarët nuk do ishte gabim. Dhe patjetër ndeshja kundër Partizanit do jetë goxha përcaktuese në ecurinë e shkodranëve në këtë gjysmë të dytë të sezonit.
Endri ÇINARI