Një miliarder amerikan i cili vlerësohet se ka pasuri më shumë se dyfishin e atyre të Roman Abramoviç, është gati që të blejë Çelsin.

Ken Grifin, një investitor shumë i njohur në SHBA, po përgatit një ofertë bashkë me familjen Riket e cila zotëron “Chicago Cubs”, klubin e njohur të bejsbollit.

Sipas “Sky”, Grifin është personi më i pasur mes atyre që kërkojnë të marrin në zotërim klubin londinez. Revista e njohur “Forbes” përllogarit se pasuria e Grifin vlerësohet rreth 20,25 miliard paund, ndërsa në krahasim, ajo e Abramoviç ishte rreth 9 miliard paund.

Miliarderi ka siguruar paratë e rij duke qenë një nga personat më të suksesshëm në historinë e bursës së Wall Street, ndërsa ai është shefi ekzekutiv i kompanisë që ka themeluar vetë, “Citadel”, një fond investimesh ndërkombëtar.

Pritet që kjo ofertë të jetë një nga më të kompletuarat, duke pasur parasysh edhe eksperiencën e familjes Rikets, e cila ia doli që të rinovonte në një kohë rekord stadiumin e vjetër të Çikagos për skuadrën e bejsbollit, ndërsa duket se do të ofrojë të bëjë të njëjtën gjë edhe me stadiumin e Çelsit.