Profesori Kabo ka folur për situatën aktuale të Partizanit, duke treguar se ku po çalon kjo skuadër në krahasim me vitin e shkuar, atje ku u shpall kampione me Skënder Gegën. Për ta nisur që nga puna e trajnerit e për të vazhduar me lojtarët, të kuqtë zbërthehen në këtë mënyrë te emisioni “Procesi Sportiv”.

“Partizani është një kantier i hapur dhe që shkatërroi gjithçka që ndërtoi në 5 vitet e fundit. Po çfarë bëri profesor Gega? Ai futi frymën e grupit dhe ndërtoi skemën taktike fitimtare, që po bën Tirana tani. E kam takuar njëherë Gegën para ndeshjes me Skënderbeun në restorant dhe më tha: “Profesor e di se çfarë do bëj? Do vendos Atandën para 4 mbrojtsave”. Këtë ia thashë edhe Starovës dhe më tha jo. Tirana e bën tani me Celhakën që e vendos para mbrojtjes.

Gega krijoi një bosht me Belicën, Rexhepin,Atandën. Nga ata vetëm Telushi ka mbetur dhe e pamë në derbi që ka rënë. Nuk vrapon në fushë, ecën. Ai pozicion në fushë kërkon që të vraposh. Partizani ka një krizë personaliteti dhe i thashë Demit: “Merri në test personaliteti lojtarët”.

Përse kaq shumë kartona të kuq dhe gabime? E ka thënë Ançeloti që kur lojtarët duan të bëjnë gjëra të mëdha, bëjnë gabime fëmijnore. Bitri ka krizë personaliteti, bën autogola dhe merr të kuq. Broja ka krizë personaliteti se del me të kuq kur Partizani ishte në avantazh në Korçë. Kështu mund të flitet edhe për Çinarin.

Këta stërviten shumë mirë, por kjo shpjegohet në psikologji, “gjendja brenda rrjedhjes”. Dëgjova Sormanin pas derbit dhe tha që ndeshja u mbyll pas 20 minutash. Po jo o zotëri se atëherë ishte ndeshja 2-1 dhe tre golat më pas i kanë pësuar lojtarët e tu. Tha që punon 24 orë. Në rregull, mund të punosh ditë e natë, por varet se çfarë pune bën?”, ka thënë Kabo. /Sport Ekspres/