Kaina Nunjesh da Silva Amarante. Ky është emri i plotë i sulmuesit brazilian të Vllaznisë. Shtatlarti u bë protagonist absolut në ndeshjen ndaj Tiranës, duke vulosur fitoren 1-2 në “Selman Stërmasi” pas golit me kokë. Kjo ishte sfida e dytë që trajneri Mirel Josa i besonte Kainës një fanellë titullari dhe sulmuesi ia shpërbleu.
Por si ka ndryshuar braziliani që nga huazimi te Kastrioti dhe deri te rikthimi në Shkodër. Për të komunikuar me Kainën është një histori më vete. Sulmuesi nuk është se i ka qejf shumë mediat dhe për më tepër zotëron vetëm gjuhën portugeze.
“Jam shumë i lumtur për këtë fillim me Vllazninë. Edhe në sezonin e kaluar e nisa me gol, por shpresoj të bëj më mirë këtë kampionat. E vërteta është se ndihem shumë më i përgatitur për të ndihmuar ekipin drejt një sezoni të mrekullueshëm. Do të bëj më të mirën për këtë fanellë.
Kjo ndaj Tiranës ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Megjithatë, mbetemi me këmbë në tokë dhe të fokusuar për të arritur objektivat tanë. Sa i përket golit, për mua të gjithë janë të rëndësishëm, por duke shënuar me këtë fanellë në një derbi, ndihem shumë i lumtur që u jap gëzim tifozëve të Vllaznisë. Mendoj se kemi një grup shumë të fortë dhe do të arrijmë diçka të mirë këtë sezon”- eshte shprehur Kaina.
I pyetur per objektivat sesa gola do te shenoje dhe nese ka arritur ta binde trajnerin Josa per nje vend titullari, braziliani pergjigjet: “Këtë e di vetëm trajneri. Detyra ime është të punoj fort dhe të ndihmoj skuadrën.Unë ëndërroj të shënoj shumë gola, por shifër nuk mund të them. Rëndësi ka të shënoj rregullisht dhe t’i jap sa më shumë pikë Vllaznisë”.