Merkato në vendin tonë duket se po lëviz me ritme të larta, por pa shumë zhurmë. Skuadrat e elitës në vendin tonë po përgatisin përforcimet para nisjes së kupave të Europës dhe disa nga lojtarët më të spikatur të kampionatit duket se do ndryshojnë skuadër. Ashtu siç paralajmëroi “Shkodra Sport” largim i parë nga Vllaznia është Kaina Nunes.

Sulmuesi brazilian do i bashkohet ekipit të Tiranës. Por me sa duket shtatlartin do e shoqërojnë edhe dy futbollistë të tjerë të Vllaznisë drejt kryeqytetit. Fjala është për Liridon Latifin dhe Erdenis Gurishtën.

Dy nga futbollistët kryesorë të kuqebluve në sezonet e fundit dhe dy nga më cilësorët në Superiore. Anësori nga Prishtina që prej ditësh diskutohet se do largohet duket se ka marrë vendimin përfundimtar.

E njëjta vlen edhe për Gurishtën, që supozohej se do ishte pjesë e Partizanit, por mbrojtësi ka bërë një kthesë. Tirana duket destinacioni i rradhës për dy futbollistët, të cilët nuk do vijojnë me shkodranët. Të dy futbollistët largohen me parametra 0 nga skuadra duke qenë se kontrata për ta ka skaduar tashmë dhe në horizont nuk duket një zgjatje e bashkëpunimit.

Nëse dy lëvizje të tilla do zyrtarzohen patjetër që do jenë një “goditje” për Vllazninë. Duke qenë se shkodranët do humbisnim dy elementë me shumë vlerë e po ashtu do përforconin direkt kundërshtarin për titull në sezonin që do startojë pas verës.
Endri ÇINARI