Kastrioti mori tri pikë të arta në përballjen me Tiranën kryesuese, duke lënë fundin e tabelës pas shumë javësh. Skuadra e drejtuar nga Emiljano Çela luftoi që nga sekonda e parë deri në të fundit për këtë fitore të madhe, por ai që bëri diferencën ishte pikërisht sulmuesi brazilian, Kaiana Nunjesh.

I ardhur në janar në formë huazimi nga Vllaznia, shtatlarti tregoi se ka cilësi dhe mund të ndihmojë shumë Kastriotin në luftën për mbijetesë.

Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, autori i dopietës ndaj bardhebluve e cilëson këtë moment si fantastik dhe që kërkon ta shfrytëzojë sa më shumë.

“Jam shumë i lumtur për golat e mi të parë me fanellën e Kastriotit. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme të realizoja dy herë dhe të fitonim ndaj Tiranës. E kishim shumë të nevojshme të dilnim me tri pikë nga ky takim. Falënderoj Zotin për gjithçka që ndodhi këtë javë.

Këto dy gola dhe kjo fitore më japin më shumë besim për të punuar dhe ndihmuar Kastriotin. Falënderoj trajnerin për besimin në punën time, por gjithashtu shokët e ekipit. Jemi një grup sensacional dhe mendoj se do të vazhdojmë me fitore”, ka thënë fillimisht braziliani i Kastriotit.

SYNIMET

Kaina thekson se skuadra krutane e meritoi triumfin ndaj kryesuesve, pasi sipas tij, në fushë luftuan më shumë për të marrë tri pikë.

“Në ndeshjen me Tiranën ne bëmë atë që na kërkoi trajneri gjatë javës Punuam shumë fort dhe mepërkushtim, duke e merituar fitoren. I gjithë ekipi bëri më tëmirën”, deklaroi Kaina.

I pyetur për ambiciet që ka dhe cila ështëshifra e golave që do të dëshironte të shënonte këtë sezon, sulmuesi u shpreh:

“Synimi im është të shënoj sa më shumë, por më kryesorja ta ndihmoj Kastriotin të qëndrojë në Superligë.Nuk është se i kam vënë vetessi synim se sa gola mund të shënoj. Uroj që kjo ndeshje të na shërbejë për vazhdimësinë dhe të arrijmë të marrim rezultate pozitive. Erdha në janar dhe gradualisht po përshtatem”.

HUAZIMI

Braziliani është nën kontratë me Vllazninë dhe pas përfundimit tësezonit duhet të kthehet në Shkodër. Në bisedën për gazetën, sulmuesi nuk kursen “thumbimet” për klubin që ka firmosur në verën e vitit të kaluar.

“Vllaznia nuk i besoi punës sime. Pata pak shanse në Shkodër, edhe pse e nisa kampionatin me gol në Laç.

Megjithatë, tashmë jam i fokusuar te Kastrioti dhe dua të bëj vitin tim më të mirë në këtë vend. Besoj se do të qëndrojmë në elitë”, përfundoi Kaina, i cili u bë i njohur në futbollin shqiptar si pjesë e Besës së Kavajës.