Me dy fitoret e arritura në Memorialin “Vllaznia 2018” dhe me mënyrën si ka boksuar, ka treguar edhe njëherë klasin e tij.

Për rrjedhojë, gjyqtaria i ka akorduar atij kupën e boksierit më të mirë të aktivitetit.

Bëhet fjalë për shkodranin Arjon Kajoshi që vazhdon të korrë suksese në karrierën e tij.

Pas paraqitjes së mirë në Europianin e Rumanisë, tashmë vjen ky në Memorial por ambicjet e tij janë të mëdha edhe për të ardhmen.

Ja si është shprehur ai pas marrjes së çmimit si boksieri më i mirë i Memorialit të sivjetëm:

“Mendoj se me mënyrën si u paraqita dhe me dy fitoret e arritura, e meritova këtë kupë.

Ndeshja ndaj boksierit kosovar ka qenë shumë e fortë por arrita ta dominojë e të fitoj edhe ndaj tij.

Jam i kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat por tashmë po shoh përpara sepse jemi të fokusuar tek Lojërat Mesdhetare që zhvillohen në muajin qershor.

Ne si ekip do të synojmë të mos dalim pa medalje nga ky aktivitet i rëndësishëm dhe për këtë arsye edhe në aspektin personal do tentoj të bëj gjithçka për të patur sukses aty”.
www.shkodrasport.com