Financimi që po bën Bashkia Shkodër për futbollin e Vllaznisë ka nxitur njëfarë xhelozie tek sportet e tjera. Dikush e quan “xhelozi pozitive” ngaqë dëshirojnë që kjo dëshirë e këtij institucioni të vazhdojë përveç futbollit edhe në sportet e tjera. Pikërisht trajneri i volejbollit të meshkujve të Vllaznisë Artan Kalaja duke folur në lidhje me këtë çështje do shprehej: “Më vjen mirë që Bashkia Shkodër gjeti financime për të mbështetur futbollin me shuma të mëdha. Vjet kur isha pretendent për të dalë kampion, i kërkova 10 mijë euro për mbështetje financiare në mënyrë që të arrinim këtë objektiv madhor dhe nuk mu dhanë me pretendimin se nuk kemi fonde të tjera. Meqë tashmë Bashkia është bërë me fonde, unë shpresoj se Bashkia do hedhë sytë edhe nga basketbolli dhe volejbolli, dy sporte mendoj unë të mënjanuara. Nëse na jepen ne, dy ekipeve, basketbollit dhe volejbollit, paratë që merr një futbollist dhe që shpeshherë treten kot ngaqë rezultojnë të dështuar, ju garantoj që do jemi pretendentë të fortë për titull dhe pallati i sportit do jetë plot e përplot në çdo ndeshje. Për këtë jam shumë i bindur”.

www.shkodrasport.com