Java e 22 e Kategorisë Superiore do të zhvillohet në datat 15 dhe 16, që përkon me dy ditët e fundjavës. E shtuna nuk do të jetë e ngarkuar, pasi siç ndodhi javën e shkuar, ditën e parë do të zhvillohet vetëm një ndeshje.

Është përsëri Tirana, skuadra që do të hapë siparin e takimeve. Kryeqytetasit do të sfidojnë Skënderbeun në shtëpinë e tyre, me ndeshjen që zhvillohet në orën 17:00.

Katër të tjerat janë të programuara të zhvillohen të dielën. Ora 14:00 rezervon plot tre ndeshje. Luftëtari do të presë Flamurtarin në Gjirokastër, në duelin mes dy vendeve të fundit.

Ndërkohë një sfidë mjaft të vështira ka Kukësi, që do udhëtojë në Ballsh për të sfiduar Bylisin, në një kohë që ballshiotët janë të etur për rezultat pozitiv, pas hapave të fundit fals.

Ndeshje tjetër e orës 14:00 është Laçi-Partizani. Kampionët e vendit do të synojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve, pas atyre ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit, ndërsa Laçi synon të rikthehet pas humbjes së djeshme kundër Kukësit. Takimi i vetëm në orën 17:00 për ditën e diel është Teuta-Vllaznia, që do luhet në “Niko Dovana”. /vipsport/