E gjithë java pas derbit është shoqëruar me probleme fizike e shëndetësore te lojtarët e Partizanit dhe stresi për Mehmetin me siguri ka qenë në nivele të larta.

Janë plot katër titullarë, që kanë pasur probleme dhe janë në dyshim edhe për betejën e sotme ndaj Egnatias, e cila luhet sot në “Elbasan Arena” duke nisur nga ora 16:45.

Sherif Kallaku ka kaluar COVID-19 së fundmi dhe megjithëse u kthye në fushë, mesfushori ende vazhdon të ketë probleme. Vetë trajneri Mehmeti u shpreh se infektimi i ka lënë pasoja mesfushorit.

Aktualisht ai po trajtohet me antibiotikë dhe me shumë mundësi do të mungojë sot ndaj Egnatias, teksa pritet që Mala të marrë detyrat e tij në mesfushë. Eneo Bitri gjithashtu po kalon një virozë, por gjendja e tij duket më e mirë dhe shanset më të mëdha janë që të jetë në fushë ndaj rrogozhinasve.

Tedi Cara ka pasur problem në kavilje, por do të luajë, teksa Mala, i cili ka ndjerë lodhje në muskujt e tij, është tërësisht gati. Kështu, mbrojtja pritet të jetë identike me atë të derbit.

Kapiteni Hoxha është i padiskutueshëm në portë, ndërsa para tij vendosen Bitri dhe Belica. Në krahët e difensivës nga minuta e parë pritet të luajnë Hadroj dhe Albion Marku.

Në mesfushë, pas paraqitjeve të mira, pritet titullar kongolezi Matondo, që do të shoqërohet nga Rrapaj dhe Mala, pak më i avancuar.

Në sulm, nga minuta e parë do të rikthehet Tedi Cara, në anën tjetër do t’i besohet sërish Zhuniorit dhe në qendër do të vendoset Skuka, i cili i gjeti rrjetën e parë si “dem” në ndeshjen e shkuar me Egnatian.

Gjithsesi, situata është ndryshe te rrogozhinasit tashmë. Ata janë më të organizuar dhe së fundmi kanë arritur rezultate pozitive, që kanë dhënë fryte në renditje, duke shmangur fundin e renditjes.