Tirana do vizitojë sot Vllazninë për tu ndeshur me shkodranët në javën e 25-të të kampionatit. Një takim “klasik” që sërish pritet të dhurojë një duel fantastik mes dy ekipeve që kanë shkruar një pjesë të artë të futbollit tonë.

Bardheblutë tashmë të shkëputur nga rivalët në krye të tabelës dhe duan të mbyllin sa më shpejt llogaritë me titullin kampion.

Por kundër Vllaznisë sot patjetër që nuk do jetë aspak e lehtë. Këtë e di mirë edhe trajneri Shehi, i cili ka projektuar edhe titullarët për sfidën kundër kuqebluve. Kështu në titullarët e bardhebluve peshojnë mungesat e Tosevskit dhe Totre. Të dy të pezulluar nga kartonët e marrë. Në portë pritet i padiskutueshëm, Visar Bekaj.

Mbrojtjen pritet ta përbëjë në qendër dyshja Hoxhallari-Behiratche. Majtas pritet Ismajilgeci e ndërsa në të djathtë mungesën e Tosevskit pritet ta mbyllë Toli.

Mesfusha duket se do jetë reparti që do ketë disa ndryshime. Kështu Limaj është i padiskutueshëm si titullar ndërsa krah tij priten edhe Najdovski dhe Hoti. Nëse nuk do ketë surpriza të momenteve të fundit.

Dyshja më e mirë e kampionatit, Seferi dhe Xhixha do udhëheqin sulmin e kryeqytetasve. Atyre pritet t’iu bashkohet edhe De Silva. Kjo pritet të jetë edhe 11-tshja titullare e rekordmenëve të futbollit tonë në përballjen “klasike” të Shqipërisë ditën e sotme.

Endri ÇINARI