Sherif Kallaku mendon se Teuta mund të kishte marrë më tepër nga ndeshja me Vllazninë. Fantazisti shënoi dje golin e shtatë sezonal në këtë kampionat, nga ku pesë i ka me fanellën e durrsakëve dhe dy me atë të Tiranës, ku luajti në pjesën e parë të sezonit.

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes, Kallaku theksoi se Teuta ishte e pafat ndaj Vllaznisë, ndërsa beson shumë te një vazhdimësi pozitive, për të arritur objektivin e vendosur nga klubi në fund të sezonit.

GOLI – “Jam i lumtur që shënova sërish sot. Siç e kam thënë, këtu jam në shtëpinë time, por më mërzit fakti që nuk fituam”.

BARAZIMI – “Realisht më vjen keq për këtë rezultat. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Dominuam gjatë gjithë lojës, krijuam raste pa fund, por kur ke fatin kundër, duhet të pranosh rezultatin e fushës”.

VAZHDIMËSIA – “Jo vetëm sot, por kemi javë që kemi treguar se jemi ekip shumë i fortë dhe me meritë jemi ngjitur lart në renditje. Me rëndësi është që ruajtëm trendin e rezultateve pozitive dhe lojën agresive”, përfundoi prononcimin e tij fantazisti dhe lideri i ekipit durrsak.