Korabi nuk ka mundur të fitoj ndaj Olimpikut pasi edhe fati nuk ishte në anën e tij. Rastet e shumta që patën futbollistët dibranë, treguan më së miri lojën e zhvilluar nga futbollistet tanë, por portieri mik ishte në formë mjaft të mirë ku në disa raste i ka ardhur në ndihmë dhe shtylla tranversale. Ndërkohë Kallaverja thotë që do ishte mirë ta nisnim me fitore fazën e dytë para tifozëve tanë. “Por në futboll duhet t’i pranosh të tre rezultatet pasi edhe gjatë fazës përgatitore kemi hasur shumë vështirësi pasi fusha e stadiumit ka qenë e mbuluar nga dëbora ku dhe ndeshjet miqësore na kanë munguar pasi kemi zhvilluar vetëm një me të rinjtë e Kukësit. Por dua të them që këta djem kanë nevojë për mbështetje dhe përkrahje të mëdha pasi me vështirësi tepër të madhe po mbajnë gjallë futbollin dibran. Pasi edhe nga Bashkia kemi një mbështetje fare të vogël”- thotë ai. Stafi thekson që duhet falenderuar edhe presidenti aktual i ekipit Mziu pasi i ka ndihmuar me bazën materiale. Ndërkohë po ai, para fillimit të takimit me Olimpikun, në prani edhe të shefit të klubit i dhuroi ekipit uniformën e re  me të cilën do përfaqësohet Korabi gjatë fazës së dytë. Z.Mziu thotë që është pasioni për këtë sport, ai që e bën të sponsorizojë për këtë ekip, pasi ka luajtur dhe vetë futboll. “Kjo bazë materiale ka kushtuar jo pak pasi me të janë paisur jo vetëm futbollistët dhe stafi drejtues por deri tek punëtori i fushës, prandaj u kërkoj futbollistëve që të japin në fushë aq sa munden dhe të kenë parasysh disiplinën në veçanti. Bashkë me këto nuk do të mungojë as dhe mbështeja ime. Ju uroj suksese në ndeshjet e ardhshme”-ka thënë presidenti Mziu.

Fatmir ZHUZHI