Kjo javë nuk ka qenë shumë e mirë për futbollistin e Vllaznisë Konstantin Cheshmedjiev i cili e nisi atë me temperaturë si rrjedhojë e një viroze që e kapi dhe kjo padyshim që shqetësoi jo pak stafin teknik të Vllaznisë.

Mungesa edhe e Juriç në qendër të mbrojtjes krijonte probleme dhe për këtë arsye ishte projektuar futbollisti maqedonas për të luajtur aty sëbashku me Stojanoviç.

Gjatë konferencës së sotme për shtyp trajneri Memelli la të kuptonte se do të ishte stërvitja e sotme ajo që do të vendoste për gjendjen e tij përfundimtare dhe aktivizimin apo jo në ndeshjen e nesërme.

Dhe vendimi është marrë mesa duket: Cheshmedjiev ka udhëtuar me ekipin në këtë transfertë dhe ai pritet ta nisë ndeshjen nga minuta e parë. Ky padyshim që është një lajm i mirë sepse me të në prapavijë skuadra do të jetë më e sigurtë.

Ndërkohë siç dihet, të konfirmuara janë mungesat e Krymit dhe Juriç, për arsye dëmtimi, ndërsa të gjithë futbollistët e tjerë do jenë të gatshëm dhe Vllaznia do të kërkojë fitoren e dytë rradhazi në kampionat./SHKODRA-SPORT.COM/