Enkeleid Dobin e kënaq forma e mirë që po ka lon skuadra në këto dy ndeshjet e fundit, pas fitores në Kupë dhe sidomos ajo me Laçin. Në prononcimin e dhënë për mediat para ndeshjes me Bylisin, tekniku kërkon që tani skuadra të ketë vazhdimësi dhe një stabilitet, duke mos i lënë vend euforisë pas një fitoreje.

“Më vjen mirë që në këto dy ndeshje kemi marrë disa sinjale pozitive, por kemi ende shumë për të bërë. Nuk duhet të ndalojmë tani, por duhet një vazhdimësi.

Është si puna e jetës, që po nuk pati stabilitet, ngrihesh dhe bie sërish poshtë. Fokusohemi te ndeshjet, pasi për ne janë të gjitha decisive dhe jemi të vetëdijshëm për situatën ku jemi dhe ndodhemi ende te zona e kuqe.

Nuk kemi ende atë komoditet që t’i lejojmë vetes që pas një fitoreje të na kapë euforia. Duhet vazhdimësi, ka gjëra pozitive, po ka edhe gjëra që duhen rregulluar”, u shpreh fillimisht Dobi sa i përket rikthimit të qetësisë në skuadër pas rezultateve të fundit pozitive.

KUNDËRSHTARI – Dobi pohon se janë përgatitur maksimalisht për ta kaluar me sukses Bylisin, edhe pse pohon se favoritët janë mallakastriotët, sepse ndodhen më lart në klasifikim.

Sipas teknikut, fillimisht duhet të respektosh veten dhe më pas të kërkosh respekt nga kundërshtari, duke i mëshuar më shumë faktit se pret shumë nga ekipi i tij.

“Angazhimi ynë është ndaj çdo ekipi, e kemi përsëritur që nuk ka ekip të dobët apo të fortë. E tregon këtë më së miri Erzeni dhe Bylisi, që erdhën nga Kategoria e Parë. Ne nuk ndikohemi nga ajo që do të bëjë Bylisi në fushë, por kemi detyrat tona dhe aty duhet të fokusohemi.

Se çfarë motivimi apo angazhimi ka Bylisi nuk na duhet. Po them që Bylisi vjen si favorit, pasi ato janë në vend të tretë, ndërsa ne në vend të tetë. Ndaj, do ta konsiderojmë me respekt, seriozitet dhe mbi të gjitha po e përmbledh me një fjalë të urtë: ‘Nëse do që tjetri të respektojë, fillo respekto veten tënde më parë’.

Duhet të jemi me këmbë në tokë, përulësi dhe të vetëdijshëm për situatën, që nuk mund t’i lejojmë vetes gabime që më para na kanë ndodhur. Duhet t’i minimizojmë, sepse në futboll ato nuk eliminohen dot. Sa i përket mungesave është vetëm Daci që po rikuperohet dhe nga java tjetër rikthehet besoj në 100%”, vijoi më tej Enkeleid Dobi.

TIFOZËT – Dobi u ndal edhe te mungesa e tifozëve, të cilën e konsideron një minus për Kukësin. “Është më se e qartë që na penalizon mungesa e tifozëve. Prandaj luhet futbolli, për ata tifozë.

Na vjen keq për situatën, për një gabim apo emocion të dikujt. Gjëra të tilla kanë ndodhur, por nuk duhet të ndodhin dhe këtu duhet të fokusohemi. Ndeshjet duhet t’i fitojmë që t’i japim kënaqësi tifozëve dhe të mos krijohen këto situata të pahijshme dhe klubi e dha mendimin e vet për këtë që ndodhi.

Situata kjo është, nuk kemi pse ankohemi dhe ajo që ndodhi, ndodhi, nuk kthehet më. Ne duhet të gjejmë zgjidhje, por i bëjmë thirrje të gjithëve që ky klub ka nevojë për tifozët, sepse për ata luajmë.

Është një penalizim, sepse do të kishim dashur që sportdashësit të ishin lojtari ynë i 12- të dhe të na mbështesnin”, përfundoi trajneri i Kukësit.