Pas kampionateve të Superligës, të kategorisë së parë dhe asaj të dytë, Federata Shqiptare e Futbollit po bëhet gati të rinisë edhe kampionatet e moshave. Madje, në një takim të zhvilluar ditën e sotme në ambjentet e këtij insititucioni me drejtuesit e Akademive nga mbarë vendi, është rënë dakord që ndeshjet të rifillojnë më 14 qershor.

Në takimin e sotëm që u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ilir Shulku, ai ka shpalosur para drejtuesve të Akademive dy projekt-kalendarët e hartuar nga Sektori i Garave dhe i informoi mbi përgjegjësitë e detyrat që kanë për zbatimin e protokollit mjekësor të hartuar nga FSHF.

Nga ana tjetër, Shefi i Sektorit të Garave, Lysien Nurishmi, në projekt-kalendarin e parë kishte parashikuar zhvillimin normal të kampionatit me 11 javë dhe fazën play-off, ndërsa në projekt-kalendarin e dytë parashikohej zhvillimi i dy ndeshjeve të mbetura nga faza e dytë dhe play-off.

Pas diskutimeve klubet vendosën për projektin e dytë. Në këtë takim ka marrë pjesë dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv Abdyl Kuriu, i cili theksoi rëndësinë e rifillimit të futbollit të moshave, për të mos rrezikuar dëmtimin e karrierës së lojtarëve nga pauzat e gjata.

Tashmë që gjithçka është përcaktuar sa i takon datës së rifillimit të ndeshjeve, mbetet që ekipet të bëhen gati për startin. Ekipet kanë nisur stërvitjen që prej javës së ardhshme dhe do të kenë edhe tre javë kohë për të kapur formën, periudhë kjo mëse e mjaftueshme për normalizimin e gjendjes fizike të futbollistëve.

Ekipet e Akademisë Vllaznia do të tentojnë të bëjnë më të mirën e mundshme gjatë kësaj periudhe për të arritur objektivat që kanë për këtë sezon.