25 shkolla publike dhe jopublike të Bashkisë Shkodër u bënë pjesë e kampionatit të shahut që u zhvillua në Qendrën Kulturore të Fëmijëve. Përgjegjësi Agim Troshani thotë se ky aktivitet është në vazhdën e 8 kampionateve që zhvillon QKF.

80 nxënës të nivelit të ulët dhe nivelit të lartë janë bërë pjesë e kampionatit. Instruktori i shahut Bernard Leka thotë se janë përdorur mekanizma të saktë në mënyrë që nga fëmijët të mos ketë hatërmbetje. Më i miri do të shpallet fitues për të vijuar më tej në kampionatet zinxhir.

Përgatitja për fazën finale kalon në disa etapa ku fillimisht janë mësuesit e shkollave të edukimit fizik të cilët bëjnë përzgjedhjen e nxënësve. Më pas në bazë të kategorive vajza dhe djem të cilët pas eleminimeve shkojnë në fazën finale.

Për kategorinë “Cikël i Lartë” u shpallën fitues: Nesar Aruçi i shkollës “Ismail Qemali” për djem dhe Federika Deda e shkollës “C. Jesu” për vajza ndërsa në kategorinë “Cikël i Ulët” u shpallën fitues: Henri Troshani i shkollës “Ismail Qemali” për djem dhe Bora Hagjoviç e shkollës “Ndre Mjeda” për vajza.