Pas prezantimit të idesë së kandidates së majtë për Bashkinë Shkodër se çfarë do bënte ajo për Vllazninë, në rast zgjedhjeje pas fitores në zgjedhjet e 21 qershorit, edhe kandidatja e djathtë ka shpalour idenë e saj. Ka ndodhur kështu në takimin që ajo ka patur me sportistë, trajnerë, veteranë sporti por edhe tifozë të kësaj skuadre. Kuptohet që ecuria e ekipit të futbollit të Vllaznisë ka qenë një nga shqetësimet që kandidatja Voltana Ademi ka hasur në çdo ditë, në takimet që ajo ka patur me banorë të ndryshëm të Shkodrës. Për këtë arsye, për këtë shqetësim të njerëzve, por edhe duke e ndjerë vetë si detyrim familjar për të bërë gjëra të mira për sportin, edhe ngaqë babai i saj- Vehbi Ademi ka qenë një basketbollist kampion me Vllazninë, Voltana Ademi ka shpalosur edhe projekt- idenë se çfarë ka ndër mend të bëjë pas fitores së Bashkisë. “Klubi i Futbollit Vllaznia është një markë territoriale e Shkodrës. E trajtoj të tillë sepse është i tillë dhe jo vetëm për tifozët por për të gjithë ne. Kur themi Vllaznia, nënkuptohet Shkodra, jemi ne dhe prandaj merr një rëndësi të veçantë dhe jo vetëm për sportin por edhe për territorin. Emergjente për ne është ndërhyrja për një vazhdim të stabilizuar financiar që në këtë moment dhe për vazhdimësinë. Them që në këtë moment sepse jam njohur me situatën që po kalon klubi dhe nevojat kryesore që ka tani por edhe për periudhën pas zgjedhjeve. I di nevojat dhe duhet ndërhyrje për të krijuar kushtet stabile, të kryerjes së stërvitjeve të duhura, të procedurave që do i duhen klubit për të mbyllur procedurat për të hyrë në sezonin e ri. Kjo është ndërhyrja e parë emergjente që do të realizojmë. Një tjetër ndërhyrje e shpejtë besoj se do jetë ajo në fushën e lekurave (Reshit Rusi) për të plotësuar kushtet e duhura në mënyrë që skuadra të luajë aty derisa të rregullohet stadiumi. Por kemi menduar edhe për zgjidhje afatgjata për Vllazninë. Kemi diskutuar gjatë me faktorë të ndryshëm, ekonomistë, juristë, tifozë, drejtues e të tjerë se çfarë zgjidhje duhet gjetur. Kuptohet që e rëndësishme është thithja e personave të tretë për të investuar në sport, qofshin këta biznese apo individë. Që në vitin e parë të mandatit tonë, kemi menduar një hapje të tillë për biznesin, një hapje kjo e justifikuar edhe në ligj. E kam të qartë se pritet dalja e një ligji të ri për sportin, por duke studiuar edhe ligjin e vjetër por edhe në ligjin e menaxhimit financiar. Mendoj se kemi një bazë të mirë ligjore që të na mundësojë hyrjen e investimeve për Vllazninë, bazuar në marrëveshje dhe kontrata të rregullta që mbështen në eksperienca vendore apo dhe europiane. Kuptohet që kjo nuk kryhet për një ditë sepse duhet të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate. Një zgjidhje që do na jepte garanci për të ardhmen e klubit të futbollit Vllaznia”- ka thënë kandidatja Ademi. Burime pranë stafit të saj madje bëjnë të ditur se gjërat mund të shpejtohen dhe nëse kontrata me ndonjë biznesmen në mos që në korri a gusht, të paktën në janarin e vitit të ardhshëm të jetë gati për të nisur një “epokë” të re të kësaj skuadre, larg problemeve që ajo po shfaq në këto 4 sezonet e fundit.

© shkodrasport.com