Dita e parë e kampionatit kombëtar të atletikës ka qenë shumë e sukseshme për atletët e Vllaznisë. Në garat e zhvilluara në këtë ditë, sportistët shkodranë kanë arritur të zënë katër vende të para. Kështu në garën e 100 metrave ka dominuar Mario Shestani me kohën 10’98 ndërsa në 400 metra, Lulzim Çengeli ka qenë i pari me kohën 50″28. Edhe Izmir Smajlaj në kërcim së gjati me 7.50 metra ka dalë i pari ashtu siç ka dalë edhe Vllaznia si ekip në stafetën 4 x 100 metra. Me këto rezultate por edhe me disa vende të dyta dhe të treta, ekipi shkodran duket në rrugë të mbarë për t’u shpallur kampion i këtij viti.

Pjesëmarrja në këtë kampionat ka qenë e mirë, rreth 200 atletë, të ardhur nga ekipet e Vllaznisë, Teutës, Skënderbeut, Flamurtarit, Tiranës, Mjeshtërisë Sportive Durrës, Elbasanit, Partizanit, Dinamos, Dinamo 2010 dhe nga Kosova. Gjatë kësaj dite të parë nuk është vendosur asnjë rekord i ri kombëtar edhe pse garat kanë qenë të mira. Shiu që ka rënë gjatë drekës ka bërë që temperaturat të ishin të mira, duke u dhënë mundësi atletëve të japin më të mirën në pistë. Pasditen e sotme do nisin garat e ditë së dytë që është edhe e fundit e këtij kampionati dhe pas përfundimit të saj, Vllaznia mendohet të kurorëzohet kampione për të shtatin vit me rradhë.
© shkodrasport.com