Ekipi i meshkujve të atletikës së Vllaznisë pasditen e sotme është shpallur kampion i Shqipërisë për vitin 2015. Ai ka grumbulluar më shumë pikë se çdo ekip duke u kurorëzuar kësisoj kampion edhe për këtë vit. Titulli i sivjetëm në fakt është i shtati rradhazi për të, çka tregon për dominimin absolut në atletikën shqiptare gjithë këto vite. Sot u zhvilluan garat e ditës së dytë të kampionatit, një ditë e ndarë në dy pjesë, ku paradite u zhvilluan garat e hedhjes (shtizë, çekiç, gjyle e disk) dhe pasdite garat e pistës dhe kërcimit në pistën e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Në përfundim të garave janë shpallur ekipet kampione në secilën kategori, duke u nderuar me kupa e medalje nga Federata Shqiptare e Atletikës.Në përfundim të garave, atletja Luiza Gega e Tiranës u shpall “atletja më e mirë”, duke marrë edhe kupën e turneut. Ndërsa për meshkuj këtë trofe e meritoi atleti shkodran Izmir Smajlaj, që gjithashtu u nderua me trofe nga Federata Shqiptare e Atletikës. Interesant fakti se këta dy atletë u shpallën më të  mirët edhe një vit më  parë. Në garat e ditës së dytë, atleti Bledar Mesi ka arritur të shpallet kampion në garën e 3000 m/ p por ajo që ka rëndësi është se ky ka qenë titulli i 16-të rradhazi i këtij sportisti në këtë garë. Po ashtu kampion ka dalë edhe Dhimitri Jorgos në garën e hedhjes së diskut ndërkohë që në trehapësh kampion ka dalë Durjon Idrizaj. Titulli i sivjetëm është një meritë e jashtëzakonshme e këtyre sportistëve por edhe e trajnerëve Albert Marashi, Vildan Tufi, Fatjon Serhati dhe Dorian Tafa që ndonëse në kushte të vështira stërvitje, vazhdojnë t’i dhurojnë klubit Vllaznia tituj kampion.

Gjergj KOLA

 

 

Ekipi i Vllaznise sot pas marrjes se kupes se titullit kampion per vitin 2015