Te Milani po përgatiten për një revolucion në sezonin e ardhshëm. Drejtuesit më të lartë të klubit kanë konfirmuar se do të marrin Ralf Ranjik, i cili do të kujdeset për merkaton dhe rinovimin e grupit të futbollistëve. Në këtë mes zhduket roli i Maldinit, i cili pritet të largohet nga klubi ku është rritur.

Ndërkaq, rrezikon postin e tij edhe trajneri Stefano Pioli. Por, ka edhe nga ata që janë kundër projektit të ri. Bëhet fjalë për Fabio Kapelon, i cili shprehet se duhen mbajtur Pioli dhe Maldini, ndërsa rinovimi i Ibrës mund të jetë i duhuri për të udhëhequr të rinjtë në skuadër, pak a shumë si Bufon dhe Kielini te Juventusi.

“Pioli po bën një punë të jashtëzakonshme, në momente të vështira ka treguar inteligjencë të lartë. Dhe, kjo jo vetëm për anën teknike dhe taktike, por edhe në atë të menaxhimit. Paolo është rritur me mua, e njoh prej kohësh. Ka personalitet dhe di të qëndrojë në vendin e tij. Një personazh i tillë meriton respekt.

Ibra? Jam trajneri që e kam sjellë në Itali, në vitin 2004 te Juventusi. Sot e shoh shumë me përgjegjësi për rolin e liderit. Nëse Milani do të mbështetet te një grup të rinjsh për të ardhmen, një si Ibra është i nevojshëm. Për të njëjtën arsye dhe Juventusi mban Bufon e Kielini”, u shpreh Kapelo. /VipSport/