Ndeshja e së dielës me Besëlidhjen po afron dhe në kampin shkodran janë duke u përgatitur për ta kaluar me sukses edhe atë, në mënyrë që të ruajnë distancën me ndjekësit.

Fitorja në këtë ndeshje do të ishte edhe debutimi i duhur në pankinë për trajnerin e ri të kësaj skuadre, Agim Canajn i cili sot ka drejtuar seancën e dytë në krye të kuqebluve.

Por ajo që ka rënë në sy në dy seancat e ditëve të fundit ka qenë prania në të e kapitenit Lika i cili është stërvitur me një maskë në kokë.

Dëmtimi që ka pësuar në nofull që në ndeshjen e Kupës me Kamzën ka lënë pasojat tek ai dhe mjekët mesa duket i kanë këshilluar që gjatë kësaj periudhë të mbajë kaskë për të shmangur ndonjë përplasje që do t’ia rikthente sërish problemet.

Në këto kushte, ende nuk është e sigurtë nëse kapiteni do të jetë në fushë të dielën apo jo. Edhe nëse merret vendimi për të luajtur, me shumë mundësi ai luajë me maskë.
© shkodrasport.com