Kanë mbetur më pak se dy javë nga data 19 shtator, kur sipas sektorit të garave në FSHF, duhet të startojë kampionati i Kategorisë së Parë. Me shumë mundësi, kampionati do të shtyhet në një datë tjetër, sepse deri sot jo vetëm që nuk është hedhur shorti i kalendarit të ndeshjeve, por nuk është bërë as ndarja e skuadrave në grupe.

Një kaos total, ku drejtuesit e klubeve nuk mund të bëjnë asnjë llogari, edhe pse deri tani janë përpjekur të organizohen dhe kanë bërë edhe merkato.

Ndarja e grupeve, në fakt, është diçka shumë e rëndësishme për skuadrat që kanë pretendime madhore, pasi ato bëjnë përgatitjet e tyre sipas rivalëve që do të kenë sezonin e ardhshëm. Në kushtet kur mundësitë e shtyrjes së kampionatit janë të mëdha, edhe stafet teknike hasin vështirësi në përgatitjen e lojtarëve.

SHUMË JUG – Me rënien e Flamurtarit dhe Luftëtarit nga Superiorja, si dhe ngjitjen e Tomorit në të Parën, të tria skuadra jugore, ndarja e grupeve bëhet edhe më intriguese. Detyrimisht skuadra nga kryeqyteti, por edhe nga Jugu, do të kalojnë në grupin e Veriut, duke pasur parasysh edhe kriteret e rregullores që duhen zbatuar.

Njëri mes Flamurtarit dhe Orikut, për shembull, do të kalojë në Veri, sipas rregullit të mëparshëm, ku dy klube të së njëjtës njësi administrative nuk mund të jenë bashkë. Ndoshta edhe Besa mund të kalojë në Veri këtë sezon.

LICENCIMET – Situata bëhet edhe më e vështirë në këtë moment për shkak të problemeve që shumë klube kanë me licencimin. Disa stadiume, sipas burimeve konfidenciale të “Panorama Sport” pranë FSHF-së, nuk plotësojnë kushtet, por emrat nuk janë bërë të ditur.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se nuk janë pak klube dhe nuk mund të anashkalohen. Një problem i tillë e bën edhe më të sigurt shtyrjen e kampionatit në një datë tjetër, por klubet dhe trajnerët duhet ta dinë se kur, sepse futbolli nuk bëhet sot për nesër.