Sot, Kategoria Superiore do të ulë siparin e javës së 23-të me tre ndeshje që janë me objektiv titullin, Europën dhe mbijetesën.

Në orën 13:45, në stadiumin e qytetit të Laçit, do të luhet sfida Laçi-Egnatia.

Skuadra kurbinase kërkon kthesën pas humbjes ndaj Tiranës dhe për të qenë ende në garë për titullin, ndërsa ekipi rrogozhinas dëshiron me çdo kusht fitoren e tretë radhazi për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë të renditjes.

Në po të njëjtën orë, në stadiumin e qytetit të Kamzës, do të luhet “finalja” e mbijetesës, Kastrioti-Skënderbeu.

Të dyja ekipet ndodhen në dy vendet e fundit të renditjes teksa janë të “dënuara” për tre pikët për objektivin mbijetesë.

Në orën 16:45, në stadiumin “Loro Boriçi” do të zhvillohet ndeshja Vllaznia-Dinamo.

Skuadra shkodrane e Thomas Brdariç kërkon fitoren që i mungon prej 2 ndeshjesh, ndërsa blutë e kryeqytetit synojnë tre pikët e arta për mbijetesë.