12 marsi 2020 do të jetë një ditë historike në Shqipëri. Kampionati i futbollit dhe gjithë aktivitetet sportive u pezulluan me afat të pacaktuar, ndërsa parashikohej se deri në fundin e këtij muaji do të kishte një datë për rinisje.

Megjithëse kanë kaluar 10 ditë prej asaj date, situata e Covid-19 duket se nuk është përmirësuar, me disa raste të reja të shënuara dje me Coronavirus në Republikën e Shqipërisë. Megjithë masat e marra, tanimë nuk bëhet fjalë për futboll.

UEFA shtyu kampionatin Europian 2020, ndërsa sipas udhëzimeve të saj fundi i ligave në Europë duhet të mbarojë deri në 30 qershor.

10 javët e mbetura të Superligës shqiptare duket se do të shtyhen sërish, duke pasur fatin e kampionateve më në zë të Europës.

Bundesliga, Serie A apo La Liga shohin muajin maj si rifillimin e sportit. Kështu, duke parë situatën e të prekurve me Covid-19 dhe masat parandaluese, edhe në Shqipëri futbolli pritet të ndalet për disa javë të tjera, me Qeverinë dhe instancat përkatëse që kishin parashikuar rikthimin e jetës normale në fundin e marsit./newsport/