Ditën e sotme do të luhen të gjitha ndeshjet e javës së 25 të Kategorisë Superiore. Një nga duelet më të forta është Laçi-Bylis. Kjo është sfida e vetme që luhet në orën 14:00, me ballshiotët që shkojnë në Laç për të marrë fitoren e parë për këtë vit, diçka që nuk e arritën as në ndeshjen e së shtunës së kaluar kundër Flamurtarit. Laçi nga ana tjetër tenton të vazhdojë ecurinë pozitive, pas fitores kundër Luftëtarit.

Ndërkohë, tre orë pas startit të kësaj ndeshje fillojnë të gjithë përballjet e tjera. Një sfidë zjarri është ajo mes Teutës dhe Partizanit, që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”. Të kuqtë vijnë pas një “shkundje” të madhe në derbi, ku Tirana i mundi me “manita”. Kjo duhet me patjetër të jetë sfida e kthesës për kampionët në fuqi në mënyrë që ekipi të mos dalë totalisht jashtë objektivave.

Teuta nga ana tjetër vjen pas një barazimi në limite me Kukësin, që shkaktoi më pas shkarkimin e trajnerit të verilindorëve, Shpëtim Duro. Durrsakët shkojnë vetëm për fitoren, diçka që nuk ka ardhur në dy javët e shkuara. Kukësi sfidon Vllazninë në “Elbasan Arena”. Te kuksianët debuton trajneri i ri Orges Shehi dhe duke parë Tiranën që fiton ndeshje pas ndeshje fitorja për blutë është detyrim.

Vllaznia nga ana e saj vjen me shumë probleme dhe javë pas javë po dështon të largohet nga vendi i tetë, që të çon në fazën e “play-out”. Dy ndeshjet e tjera janë Flamurtari-Tirana dhe Skënderbeu-Luftëtari. Korçarët dhe bardheblutë janë në formë shumë të mirë dhe këto ndeshje konsiderohen si të lehta në letër. Pritet të shihet si do jenë në fushë. Daja vjen me grup të plotë kundër gjirokastritëve, ndërsa Egbo shkon në Vlorë me mungesa të rëndësishme. /vipsport/

Kategoria Superiore, Java 25

14:00 Laçi-Bylis

17:00 Skënderbeu-Luftëtari

17:00 Kukësi-Vllaznia

17:00 Partizani-Teuta

17:00 Flamurtari-Tirana