Vllaznia e ka nisur organizimin afro tri javë më parë dhe është skuadra më e vonuar e Kategorisë së Parë. Kuqeblutë kanë provuar shumë futbollistë që më parë kanë qenë pjesë e skuadrave të Kategorisë së Parë, por edhe Superiores.

Nga sa bëhet e ditur, në Shkodër pritet që nesër të firmosin katër lojtarë.Bëhet me dije se janë futbollistë të cilët kanë marrë edhe “OK”-in nga trajneri Hasan Lika.

Kështu, Renato Maloda e Valdo Zeqaj pritet që të firmosin dhe të mbyllin një herë e mirë problemet në mbrojtjen e kuqebluve për sezonin e ardhshëm.

Në mesfushë ka ardhur Dejvi Bilali që ka qenë pjesë e Teutës dhe Besës, ndërsa në sulm Silvio Zogaj, sulmuesi që në Superiore ka debutuar me Luftëtarin e Gjirokastrës dy sezone më parë, ndërsa edicionin e shkuar ishte pjesë e skuadrës së Laçit.

Kujtojmë që te Vllaznia të shtunën firmosën tre futbollistë, mbrojtësi rumun Ignat si dhe braziliani Zhunir dhe nigeriani Ikena. /VipSport/