Shkodra dhuroi surpriza në këto zgjedhje lokale të këtij viti. Tashmë, shkodranët përveçse i kanë dhënë votën në masë Benet Becit për të drejtuar Shkodrën për katër vitet e ardhshme, kanë vendosur të votojnë masivisht Partinë Socialiste edhe për Këshillin Bashkiak.

Kështu, janë 18-mandate të marra nga këto vota që i japin socialistëve shumicën në Këshillin Bashkiak. Në fakt, ndër to janë edhe tre figura të sportit dhe pikërisht një i fushës së atletikës, një i futbollit dhe një tjetër i sportit të volejbollit.

Fjala është për ish-atletin e njohur shkodran Oltion Luli, ish- futbollistin Rudin Beka dhe volejbollistin aktual të Vllaznisë, Ardit Taflaj, të cilët do të jenë figurat që do të përfaqësojnë sportin për katër vitet e ardhshme në Këshillin Bashkiak.

Po ashtu, një emër tjetër në Këshillin Bashkiak që njihet si sportdashës dhe tifoz i Vllaznisë së futbollit në opinionin sportiv është edhe Edmond Ndou, i cili e ndjek ekipin kuqeblu pothuajse në të gjitha ndeshjet e luajtura, brenda dhe jashtë Shkodrës.

Ajo që bie në sy është se në krahun tjetër, atë të koalicionit “Bashkë fitojmë” dhe tek lista e PD, mungojnë figurat e sportit. Gjithsesi në këshillin e ri tashmë është e sigurtë se do të ketë edhe tre pjestarë të sportit që do ta ngrenë zërin sa herë do flitet për të.

Besimi i këtyre figurave për mandatin e ardhshëm të këtij Këshilli Bashkiak, është një tjetër tregues se qytetarët e Shkodrës kanë vlerësuar dhe vazhdojnë të vlerësojnë njerëzit që e kanë nderuar këtë qytet në fusha të ndryshme të jetës dhe i tillë është edhe rasti i Oltion Lulit, ish-atlet kampion me Vllazninë, ish- futbollistit tashmë pedagog Rudin Beka dhe Ardit Taflajt, volejbollist në periudhën që ekipi kuqeblu i meshkujve solli titullin e vetëm të historisë në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI