Fjala titull nuk është më një tabu në Shkodër dhe jo vetëm për shkak të fitores së sotme ndaj Tiranës. Këtë e ka shpjeguar më së miri kapiteni Erdenis Gurishta i cili tregoi se ku kishte ndryshuar Vllaznia në këtë sfidë, në krahasim me duelet e mëparshme ndaj bardhebluve.

“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme, e dinim vështirësinë se Tirana do të vinte për dy rezultate. Ishte e qetë, me 6 pikë avantazh dhe luante për barazim e fitore. Por edhe ne duhej të ishim të qetë se ishte e sigurt që do të vinte goli. Ishin 90 minuta, kishim edhe lojtarë në stol që mund të bënin diferencën., Jam i lumtur që goli erdhi në fillimin e pjesës së dytë dhe na riktheu qetësinë.

Në ndeshjet e fundit jam detyruar të luaj në qendër, kam bërë mirë, trajneri është i kënaqur. Unë mund të luaj si në krah, si në qendër.

E kishim përgatitur ndeshjen që duhej të kishim shumë durim e qetësi, këmbëngulje deri në fund të ndeshjes. Në vitet e kaluara për shkak të euforisë e entuziazmit, kemi sulmuar shumë dhe e kemi pësuar mbrapa. Këtë herë ishte Vllazni cinike, e dinte çfarë kërkonte, kur vjen rezultati, të gjithë jemi të kënaqur. U hap kampionati, lufta është e hapur, por nuk duhet të vazhdojmë të mos gabojmë.

Trajneri tha gëzohuni sot, nesër keni pushim, pastaj pasnesër fillon vëmendja për ndeshjen e radhës që është e fortë, ndoshta më e fortë se e sotmja.

Titulli? Sigurisht nuk kemi frikë ta përmendim se dimë cilësitë që kemi në skuadër. E vërtetë që kemi pasur probleme se nuk kemi pasur stabilitet në rezultate, por besoj se jemi në rrugën e duhur. Por po na kthehen lojtarët dhe Vllaznia do të jetë me e fortë në javët në vijim”, tha Gurishta për “Oversport”.