Në autobiografinë e Xhorxho Kielinit një pjesë i është dedikuar edhe finales së humbur ndaj Real Madrid në vitin 2017 me rezultatin 4-1. Pas ndeshjes, pati shumë zëra se në pushimin mes pjesëve pati një sherr mes futbollistëve bardhezinj, mirëpo Kielini ka vendosur të sqarojë gjithçka. Mbrojtësi shprehet se disfata erdhi vetëm për shkak të lodhjes dhe se në dhomat e zhveshjes nuk pati asnjë lloj sherri.

“Ka pasur shumë fjalë për finalen e famshme të Kardifit me Real Madrid. Po iu them se asgjë e çuditshme nuk ndodhi. Ishim thjesht të lodhur. Nuk kishim pse të mos luftonim pas pushimit të ndeshjes, duke qenë se ishim barazim dhe nuk po humbisnim 3-0. Madje, edhe sikur të ishte ashtu, sërish nuk do ta linim pa luftuar. Por, ne ishim shumë të lodhur.

Mandzukiç mezi ecte, po ashtu edhe Pjaniç. Të dy morën trajtime në gju, teksa trajneri fliste. Na mungonte fryma, por vendosëm të dilnim për maksimumin. Por, fundi ishte dramatik. Asgjë e çuditshme nuk ndodhi në dhomat e zhveshjes, askush nuk bëri sherr. Humbëm se ishim të lodhur”, u shpreh Kielini. /VipSport/