Kategoria Superiore dhuron në ndeshjet e sotme dy sfida shumë interesante që kanë një rëndësi të veçantë kur tashmë mbetet pak më shumë se një fazë nga fundi i sezonit të rregullt.
Një sfidë shumë e përjetuar do të jetë padyshim ajo në Shkodër ku luhet “Klasikja” e futbollit shqiptar mes Vllaznisë vendase dhe Tiranës. Shkodranët janë duke ecur me një ritëm mbresëlënës në këto javë dhe nuk është rastësi që janë ngjitur në vendin e dytë, teksa kërkojnë që t’i afrohen edhe më shumë Egnatias kryesuese.
Kurse për Tiranën, rrëshqitja jashtë zonës së “Final Four” është bërë problematike dhe një tjetër hap i gabuar mund të kishte pasoja të rënda në klubin bardheblu.
Po ashtu si sfida në Shkodër, është një tjetër shumë e luftuar edhe në Durrës, ku luhet një përballje direkte mes Teutës dhe Erzenit. Si durrsakët, ashtu edhe shijakasit, janë rivalë direkt për mbijetesën në Superiore dhe kush merr pikët e plota në këtë sfidë, siguron një bonus të rëndësishëm për vijimësinë e sezonit. Të dyja sfidat e sotme janë planifikuar që të luhen në orën 17:00.