Dje ka qenë planifikuar të hidhejshorti I kampionateve kombëtare të volejbollit. Kështu kishte vendosur Federata përkatëse por kjo nuk ka ndodhur sepse 11 klube vazhdojnë të jenë kundër kësaj Federate në lidhje me tarifat që ajo ka aplikuar për pjesmarrjen në kampionat. Siç dihet, këto 11 klube kanë firmosur edhe një peticion kundër këtij institucioni për shkak të pagesave të larta që ajo ka aplikuar për pjesmarrjen në kampionat. Megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar. Vllaznia ndërkohë po vazhdon stërvitjet teksa kryesisht është marë me përgatitjet fizike për shkak të rikonstruksionit që po i bëhet pallatit të sportit dhe ata nuk kanë një ambjent për t’u stërvitur.

Nga ana tjetër, Federata Shqiptare e Volejbollit po dje ka vendosur që më datë 25 të këtij muaji të zhvillojë kupën me emrin e saj. Në këtë kupë do të marrin pjesë katër ekipet më të mira të vendit dhe pikërisht Studenti, Tirana, Vllaznia dhe Farka Volej. Sipas shortit të paracaktuar, në gjysmëfinale Vllaznia do të ndeshet me Tiranën. Për trajnerin Artan Kalaja kjo nuk përbën ndonjë problem. Problem serioz për të vazhdon të mbetet largimi i lojtarëve cilësorë. Pikërisht njëri prej tyre, 21 vjeçari Klaudio Qeraxhija duket shumë pranë kalimit tek ekipi i Studentit. Kjo do të bënte që kuqeblutë të dobësoheshin megjithatë shkodranët janë duke tentuar ta mbajnë këtë sportist por nuk dihet sa do ia arrijnë. Sporti i volejbollit kësisoj në Shkodër, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme për ta ngritur në nivele të larta, nuk po ia arrin dot të ndjekë shembullin e basketbollit.

© shkodrasport.com