Klevis Dalipi, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe aktualisht trajner i Partizanit U21, është shprehur se shkodranët kanë pasur më stabilitet se të kuqtëm gjatë këtij sezoni. Në një intervistë të dhënë për mediat, Dalipi tha se është tepër optimist për punën, që do të bëjë Plori në krye të Vllaznisë, pasi e njeh nga afër.

Ndërkohë, mes të tjerash, trajneri 46-vjeçar i cili ne karrieren e tij si futbollist ka luajtur me te dy keto skuadra, foli edhe për ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndërmjet Partizanit dhe Vllaznisë.

“Unë mendoj që Vllaznia ka pasur më stabilitet se Partizani në lojë, por ky ndryshimi i trajnerit tani nuk e di si do të jetë. Megjithatë, jam optimist për Plorin, duke qenë edhe se e njoh, si njeri dhe si trajner. I uroj suksese atij.

Të dyja skuadrat ndajnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës, kështu që unë mendoj se Partizani e ka jetike këtë kupë. Unë mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e kujdesshme dhe skuadra që do të jetë më racionale, më cinike, të shënojë dhe të jetë më e kujdesshme në prapavijë, do të jetë më e suksesshme në këtë duel.

Kënaqësi që si Mehmeti edhe Plori, janë në krye të këtyre dy ekipeve. Të dy janë që kanë shumë ide të mira për futbollin dhe sigurisht u uroj të dyve suksese. Kjo është ajo që mund të them.

Kjo do jetë një sfidë shumë delikate, shumë e veçantë që përcakton fatet e skuadrave për të shkuar në Europë. Ne e dimë shumë mirë që skuadrat shqiptare, e kanë jetike pjesëmarrjen në Kupat e Europës, sepse sigurojnë shumë financa të shëndosha për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, këtë do ia lëmë fushës.

Kam luajtur në Shkodër dhe e them me plot bindje, që është një qytet që e dashuron futbollin dhe le të themi, ka qenë një vit i mrekullueshëm për mua, jo vetëm për nga tifozëria, por edhe nga njerëzit, që kanë qenë në staf drejtues”,-mbylli prononcimin e tij, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe aktualisht trajner i Partizanit U21, Klevis Dalipi.
Maringlen ZHIVANI