Jurgen Klop i ka kthyer përgjigje rivalit të tij Zhoze Murinjo, përpara përballjes me Liverpulin sot në “Anfield Road”, ku portugezi thumbon se rëndësi kanë trofetë. Tekniku gjerman, i cili mori drejtimin e skuadrës në tetor 2015, i ka dërguar “reds”-at në tri finale të mëdha, por i ka humbur të gjitha ato, të fundit në Champions kundër Realit në maj.

Por ish-tekniku i Dortmundit, i cili ka humbur gjithashtu edhe finalen e “Wembley”-t kundër Bajernit në Ligën e Kampioneve 2013, thotë se ai nuk duhet të gjykohet vetëm për trofetë. “Është e vërtetë, por a duhet ta fitoj medoemos Champions-in? Njerëzve mund t’u kujtohet ajo, por ajo që unë duhet të bëj është të bëj më të mirën e gjërave që klubi më ofron.

Nëse njerëzit thonë se sezoni i Ligës së Kampioneve sezonin e shkuar nuk ishte një sukses sepse ne nuk fituam finalen, unë nuk mund ta ndryshoj këtë. A ishte fundi i suksesshëm? Jo, por rrugëtimi ishte i shkëlqyer.

E shijova shumë. Presioni është nga jashtë, njerëzit thonë se nëse unë nuk fitoj trofe, atëherë duhet të largohem. Në momentin që ti gjen dikë që mund ta bëjë punën më mirë, atëherë duhet ta marrësh”, tha Klop për “Telegraph”.