Dy institucione të ndryshme zbatojnë ligjin por në fakt, ata që e pësojnë janë sportistët dhe trajnerët. Federata Shqiptare e Basketbollit prej disa vitesh ka urdhëruar ekipet sportive të krijojnë shoqatat për të krijuar pavarësinë nga klubet dhe institucionet e pushtetit lokal (është e vetmja Federatë që ka vepruar kështu) por nga ana tjetër Bashkia Shkodër përmes Sportklub Vllaznisë, çdo vit ka akorduar mbi 60 milionë lekë të vjetra për ekipet e basketbollit të këtij klubi dhe po ashtu ka vënë në dispozicion të tyre edhe infrastrukturën e duhur sportive.

Interesant është fakti se FSHB nuk e njeh fare Bashkinë dhe SK Vllazninë por vetëm “Shoqatën e Basketbollit Vllaznia”. Në këtë kontekst, auditi i zhvilluar pak kohë më parë në klubin shkodran ka nxjerrë në pah një shkelje të drejtuesve të klubit në këtë drejtim dhe për këtë arsye, ka lënë edhe detyrat për t’i rregulluar këto probleme. Por “rregullimi” krijon probleme sepse aktualisht nuk kemi asnjë ekip basketbolli me emrin “Vllaznia”. Kjo sepse ekipet e basketbollit të Vllaznisë jo vetëm nuk do kenë më asnjë marëdhënie financiare me Klubin sportiv Vllaznia por nuk do të lejohen të stërviten më në ambjentet e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” dhe as të përdorin emrin e Vllaznisë. Ky është vendimi  që drejtori I këtij klubi Mark Kroqi ka marrë dhe ka urdhëruar vartësit e tij për ta zbatuar atë me shkresën me numër 125 të datës 17 maj 2017. Çdo gjë e ka bazën tek një shkrese e një dite më parë që ka mbërritur në zyrat e këtij klubi nga Drejtoria e Kulturës, Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, e cila I kujton drejtuesve të tij moslejimin më të zhvillimit paralel të sportit të basketbollit nga një shoqatë sportive në ambjentet e saj dhe duke lejuar përdorimin e emrit të Vllaznisë. Një situatë aspak e këndshme sepse tashmë ekipet e basketbollit nuk do kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre me këtë emër. Mosnjohja e Bashkisë Shkodër dhe e Sportklub Vllaznia nga ana e kësaj  Federate ka sjellë një pështjellim në këtë mes. Një situatë që ka krijuar jo pak probleme sepse Bashkia edhe për vitin 2017 ka planifikuar një fond prej rreth 63 milionë lekësh për këto ekipe por auditi I ushtruar në klub pak kohë më parë, e ka quajtur shkelje një gjë të tillë dhe ka lënë detyra për ta zgjidhur atë. Zgjidhje që për klubin Vllaznia ka qenë e dhimbshme sepse detyrohet të nxjerrë nga pallati I sportit të gjithë ekipet e basketbollit dhe përveç kësaj, të ndërpresë çdo marëdhënie financiare me to. Ende nuk dihet  sesi do të veprohet por për momentin, Klubi Vllaznia nuk ka më ekipe basketbolli në organikën e tij. Një histori aspak e këndshme por ky ëshë realiteti. Të gjithë duan të zbatojnë ligjin dhe ata që e pësojnë janë basketbollistët, trajnerët dhe sportdashësit shkodranë që kanë përjetuar jo pak emocione këto vitet e fundit nga ndeshjet e basketbollit.
© shkodrasport.com